75 Mall Live Search
19:56 / E Enjte, 12 Nëntor 2020 / B O

Republikanët marrin gjysmën e vendeve të Senatit

Senatori republikan nga Alaska, Dan Sullivan, u rizgjodh të mërkurën, duke i siguruar partisë së tij të paktën 50 nga 100 vendet e senatit për dy vitet e ardhshme, ndërsa kontrolli i dhomës mbetet i paqartë deri pas shpalljes së rezultateve të balotazhit të Xhorxhias në janar.

Pas numërimit të ngadaltë të votave në shtetin më veriperëndimor të ShBA-së, agjencitë e lajmeve erdhën në përfundim se zoti Sullivan ka një epërsi të pakapërcyeshme ndaj Al Gross, kirurgut ortopedik që garoi si kandidat i pavarur me mbështetjen e demokratëve. Rezultatet e nxjerrin pëpara senatorin Sullivan me një diferencë prej 20 përqind.

Sigurimi i gjysmës së vendeve në Senat nga republikanët, shton vëmendjen në garat e balotazhit që mbahen më 5 janar në shtetin jugor të Xhorxhias.

Ligjvënësit konservator republikan, seantori David Perdue dhe Kelly Loeffler, që aktualisht mbajnë dy vendet, nuk arritën të fitojnë mbi 50 për qind të votave, duke u detyruar të përballen në balotazh.

Zoti Perdue përballet me demokratin Jon Ossoff, një gazetar hulumtues i cili humbi me rezultat të ngushtë garën e vitit 2017 për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve, përpara se të garonte me zotin Perdue për një vend në Senat.

Zonja Loeffler, e cila u zgjodh senatore në fillim të vitit 2020, po përballet me Raphael Warnock, një demokrat progresiv i cili është pastor në Kishën Baptiste Ebenezer në Atlanta.

Në garën për këtë vend morrën pjesë më shumë se dy kandidatë. Zoti Warnock siguroi numrin më të madh të votave, por nuk e kaloi 50 përqindëshin e nevojshëm për të fituar. Zonja Loeffler ishte e dyta. Balotazhi mes tyre do të zhvillohet më 5 janar.

Edhe në garën tjetër, zoti Perdue udhëhoqi me rezultat të ngushtë ndaj zotit Ossof, por votat që fitoi një kandidat i tretë nuk i lejuan asnjerit prej tyre të siguronte 50 përqindëshin e duhur.