Reshitaj: Kuvendi është shndërruar në teatër politik, qytetari s’i harron këto fytyra as në kutinë e votimit

Deputetja Albena Reshitaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës së vazhdueshme të bllokimit të Kuvendit të Kosovës, duke e krahasuar atë me një shfaqje teatrore tragjiko-komike. Ajo tha se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kësaj “shfaqjeje” po i vjen fundi, ndërsa sipas saj, maskat janë hequr dhe e vërteta është zbuluar.
“Ka muaj që Kuvendi është shndërruar në një teatër politik, në të cilin është duke u luajtur një shfaqje tragjike-komike. Me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese sikur kësaj shfaqje po i vjen fundi. Për mendimin tim, maskat janë tërhequr edhe perdja po bie,” tha Reshitaj.
Ajo shtoi se për herë të parë qytetarët e Kosovës po e shohin qartë se kush janë përfaqësuesit e tyre të vërtetë në Kuvend, dhe sipas saj, kjo nuk do të harrohet lehtë.
“Unë mendoj që qytetari i Kosovës kurrë më mirë dhe më qartë nuk e ka pasur t’i shohë fytyrat e vërteta të secilit përfaqësues të popullit brenda këtij Kuvendi, dhe jam e bindur që nuk do t’i harrojë këto fytyra as kur të shkojë në kutinë e votimit,” deklaroi ajo.