Reshjet e shiut, policia me thirrje për shoferët
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje shoferëve që të bëjnë kujdes në trafik dhe t’i përshtaten shpejtësisë me kushtet atmosferike.
“Bazuar në situatën e tashme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje shiu, Policia e Kosovës APELON te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me ujë”, thuhet në thirrjen e policisë.
Si shkak i reshjeve të shiut Komuna e Prishtinës ka anuluar procesin mësimor.
“Të nderuar qytetarë, drejtues të institucioneve edukativo-arsimore dhe të nderuar prindër, ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet. Ky vendim është marrë edhe në koordinim me kryetarin e kryeqytetit dhe është masë preventive e sigurisë për fëmijët tanë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, njoftoi drejtori i Arsimit i Komunës së Prishtinës, Samir Shahini.

