75 Mall Live Search
19:18 / E Hënë, 22 Gusht 2022 / AR

Restelica shkarkohet nga “Prishtina Parking”, ai u arsyetua se dha dorëheqje

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama njoftoi se Liridon Restelica është shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking.

Rama njofton se Restelica u shkarkua për keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve.

Mirëpo, Restelica u arsyetua se vetë ka dhënë dorëheqje për shkak të presioneve që ka pasur nga aksionarët e Kuvendit Komunal.

“Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking”.

Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Liridon Restelica, hyn në fuqi sot, me datë 22.08.2022″, ka shkruar Rama./Indeksonline/