Rexha komenton deklaratën e Thaçit “Pa shkelur mbi trupin tim ndarja e Kosovës nuk ndodh”
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi ka komentuar deklaratat e presidentit të vendit, lidhur me temën e ndërrimit të kufijve. Pasi Thaçi dje në Tiranë tha pa shkelur mbi trupin e tij nuk mund të cenohet territori i Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se “mbi një trup të shtrirë e të përkulur, sikur ai i Thaçit, kalon shumëçka”.
Në llogarinë e tij facebook, Rexhep Selimi ka thënë se kufijtë e Kosovës janë në rrezik.
Shkrimit të tij, Selimi ia ka bashkangjitur edhe një fotografi të Thaçit, e realizuar dy vjet më parë në fshatin Grackë të Lipjanit, ku Thaçi vendosi kurora me lule në një pllakë përkujtimore të serbëve.
Ky është reagimi i Selimit:
Në Samitin e Diasporës që u mbajt dje në Tiranë, ‘presidenti i Kosovës’ deklaroi: “se unë nuk lejoj pa kaluar mbi trupin tim, të ndryshohet kufiri i Kosovës”.
Pra, ai citoi një thënie popullore por me një ndryshim të vockël…
Thënia së cilës iu referua pjesërisht Thaçi thotë: “pa kaluar mbi trupin tim të vdekur…”
Siç duket Thaçi e paska pasur fjalën se “pa kaluar mbi trupin e tij të gjallë nuk ndryshohen kufijtë e Kosovës”.
Po del se kufijtë prapë qenkan në rrezik, sepse mbi një trup të shtrirë e të përkulur, sikur ai i Thaçit, kalon shumëçka..