75 Mall Live Search
10:33 / E Hënë, 23 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Rexha pasi fitoi “tripletën”: Do të vazhdoj me formë të mirë, shumë shpejt me skuadër të re

Viti 2019 mund të llogaritet si viti i Kastriot Rexhës.

Futbollisti që është në mbyllje të kontratës me Feronikelin pati një vit të jashtëzakonshëm si në aspektin individual, ashtu edhe në atë me skuadrën.

Rexha, në gala mbrëmjen e zhvilluar të premten nga FFK-ja, u shpall futbollisti më i mirë i Superligës për vitin që po lëmë pas.

Ai gjithashtu u përfshi në formacionin e vitit dhe u zgjodh golashënuesi më i mirë.

Një “tripletë” e fituar nga Kastrioti që synimi i radhës është të gjejë një skuadër tjetër të fortë, pasi Feronikeli ka vendosur t’ia ndërpresë kontratën.

Ai në një prononcim për Indeksonline shprehet i lumtur për çmimet dhe shpreson që të vazhdojë me formë të mirë.

Është një ndjenjë shumë e mirë, me të vërtetë ndihem shumë i lumtur pas gjithë këtyre shpërblimeve të fituara dhe shpresoj që të vazhdoj me formë të mirë edhe në të ardhmen“, ka thënë futbollisti më i mirë i futbollit vendor.

Kastriot Rexha tashmë duhet të gjejë një skuadër të re, por fillimisht duhet të zyrtarizojë “divorcin” me Feronikelin.

“Jemi në bisedime me disa skuadra por ende nuk kam vendosur pasi pres që së pari të bëjmë zyrtare ndarjen me Feronikelin, e pastaj të shohim mundësinë e kalimit te ndonjë skuadër që do të mendoj se do të jetë më e mira për mua“, ka shtuar Rexha.

Reaxha këtë vit fitoi Superligën dhe Kupën me Feronikelin dhe mori pjesë në garat ndërkombëtare. /IndeksOnline/