75 Mall Live Search
15:15 / E Hënë, 21 Janar 2019 / indeksADMonline

Rexhep Hoti tregon dy gjëra për të cilat do të mbahet mend Ibrahim Rugova

Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport ka kujtuar presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 13 vjetorin e vdekjes së tij.

Ai ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova do të mbahet mend për dy gjëra: 1) për ngritjen e vetëdijes politike te të gjithë shqiptarët për shtet të pavarur e sovran, pa dallim përkatësie, bindjeje e moshe dhe 2) për funksionalizimin e rezistencës parësore për t’i shërbyer vlerave dhe qytetërimit perëndimor prej nga ishte formësuar identiteti dhe qytetërimi shqiptar.

“Ishte viti 1984 kur me Nexhmedin Spahiun dhe një grup studentësh të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) në Prishtinë e themeluam Klubin e parë Letrar “Pjetër Bogdani”. Më kujtohet që atë kohë, unë pata kënaqësinë ta drejtoja orën e parë letrare. Pas fjalës sime fillestare kisha nderin që me rastin e themelimit të klubit t’ia jepja fjalën Ibrahim Rugovës, në atë kohë studiues, i cili punonte edhe pranë Institutit Albanologjik”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij, ishte një kohë që karakterizohej me një afërsi dhe një intensitet të punës shumë kreative ndërmjet studentëve dhe studiuesve të kohës.

“Kjo na bënte më tepër të ndiheshim të frymëzuar përballë asaj zymtësie e cila ishte krijuar në mungesë të lirisë së Kosovës. Por, puna me njerëz të fjalës siç ishte Rugova, na bënte që edhe më shumë t’i kuptonim përgjegjësitë tona si studentë”, ka shkruar Hoti./Indeksonline/