17:16 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Rexhep Selimi më 1999: Abedin Rexha u vra nga dora e tradhtarit Gani Geci, përshkruhet shumë mirë në komunikatën 59

Komunikata 59 është komunikata më e famshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndonëse ajo nuk ishte as e nënshkruar dhe as e vulosur.

Misterioziteti rreth saj na ka shoqëruar plot dy dekada, por ishte një figurë e lartë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila në vitin 1999 kishte folur me krenari për të.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një intervistë të tij dhënë javores “Zëri” më 30 tetor 1999, duke folur për vrasjen e Abedin Rexhës – Sandokanit, pas së cilës kishte pasuar komunikata 59, i ishte referuar asaj duke thënë se “vrasja e Abedinit përshkruhet shumë mirë në komunikatën numër 59 të UÇK-së, ku thuhet qartë se kush e vrau, me emër dhe mbiemër: Gani Geci”.

Rexhep Selimi edhe në këtë intervistë e kishte quajtur Gani Gecin tradhtar, njëjtë sikurse përshkruhej në komunikatën 59, shkruan Ballkani.

“Vrasja e komandant Sandokanit është një vrasje në vazhdën e vrasjeve nga tradhtia të njerëzve të mëdhenj. Abedin Rexha u vra nga dora e tradhtarit në pritë, ashtu siç kemi raste gjatë historisë sonë kur njerëzit e mëdhenj vriten nga tradhtarët. Kjo nuk bën të fshehet, përkundrazi në atë moment kur fshehet bëhet një atentat i dytë mbi Abedinin, prandaj kemi borxh që vrasjen e tij ta konsiderojmë si një vrasje, si një rënie në luftë për liri. Edhe njëherë po e përsëris se Abedin Rexha nuk guxon të vritet për së dyti, duke mos treguar si u vra. Vrasja e Abedinit përshkruhet mirë në komunikatën numër 59 të UÇK-së, ku thuhet qartë se kush e vrau, me emër dhe mbiemër: Gani Geci. Pse u vra? E vrau politikisht, apo? Kjo dorë që e vrau Abedin Rexhën e kishte paralajmëruar edhe më herët se do ta vriste, sepse për Abedin Rexhën në atë kohë thuhej se është një shtyllë e rëndësishme e vijës së UÇK-së, e cila duhej të hiqej. Kështu flitej nga ata që ishin kundër vijës së UÇK-së, kundër UÇK-së në përgjithësi, e unë këtu nënkuptoj forcat e Bukoshit, FARK-un, të cilët në mënyrë direkte kishin paralajmëruar Abedin Rexhën se do ta vrisnin. Dhe, e bënë këtë përmes dorës së Gani Gecit. Kështu duhet të shihet kjo: Kush e vrau dhe pse e vrau? Dhe, kush u vra? U vra një komandant brigade, u vra një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicë, themeluesi i brigadës 112, u vra aksionisti i hershëm i UÇK-së, u vra ai që gëzonte dhe që akoma gëzon një autoritet në popull. Atëherë, pse të fshehet kjo? Për hatër të askujt e vërteta nuk duhet të fshehët”, kishte deklaruar Rexhep Selimi më 30 tetor 1999 për javoren “Zëri”.

Por, vetëm një ditë pas, ndaj deklaratave të Selimit kishin reaguar shumica e komandantëve të UÇK-së në Drenicë.

Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Nuredin Lushtaku, Jetullah Geci, Fadil Kodra dhe shumë luftëtarë të dalluar të kësaj treve, më 31 tetor 1999 kishin hedhur poshtë komunikatën numër 59 dhe pjesën e intervistës ku njollosej luftëtari Gani Geci nga fshati Llaushë.

“Dëshirojmë edhe një herë t’ia bëjmë me dije opinionit shqiptar se Gani Geci nuk është tradhtar dhe dëshirojmë që me raste të tilla të merren organet kompetente gjyqësore të Kosovës e jo të njollosën njerëzit pa argumente, nga individë të ndryshëm. Hidhet poshtë Komunikata nr. 59, si dhe shkrimi i tij”, thuhej në reagimin e komandantëve të Drenicës ndaj Rexhep Selimit, i cili kur e kishte dhënë këtë intervistë, kishte qenë Ministër i Rendit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Ditë më parë, Rexhep Selimi, i cili është përfolur shpeshherë në publik si autor i komunikatës 59 dhe në këtë intervistë i referohet me krenari, kishte akuzuar Hashim Thaçin si autor të asaj komunikate, gjë që ishte demantuar menjëherë nga ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi.