Rexhepi: Dukagjini është Barcelonë për kundërshtarët, po na dëmtojnë gjyqtarët
Prishtina ka fituar duelin e mbetur të xhiros së 2-të, në Superligë, duke e mposhtur Dukagjinin me rezultat 2-0.
Korenica e Abazi ishin shënuesit e golave në këtë ndeshje.
Pas ndeshjes trajneri i Dukagjinit, Xhengis Rexhepi është ankuar mjaft shumë në referim.
“Prishtinës ia urojë fitoren, në këtë ndeshje jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve të Dukagjinit”, tha fillimisht Rexhepi për SSK.
“Ne si ekip solid që kemi ardhur nga Liga e Parë të luajmë aq bukur ndaj një Prishtinës që vlen shumë herë më shumë se na, kjo më gëzon”.
“Pjesa dërmuese e lojës ishte dominim i yni, goli i parë erdhi si arsye e vendosjes së gabuar të lojtarëve tanë, goli i dytë ishte dhuratë nga gjyqtari për Prishtinën”.
“Unë nuk flas shumë për gjyqtar por po na bëhet padrejtësi si sot, si ndaj Ballkanit ashtu edhe ndaj Flamurtarit e Dritës ku na shënuan gol nga dy metra pozitë jashtë loje”.
“50 për qind jemi ne fajtor për këtë gjendje në ekip ndërsa 50 për qind janë gjyqtarët sepse në çdo lojë na dëmtojnë, mendoj që është referim skandaloz ky që bëhet ndaj nesh”.
“Kjo krizë e Dukagjinit është si faj i imi, unë i marr përgjegjësit, por do të dalim nga kjo krizë sepse nga pozita 1 deri te ajo 11, skuadra e Dukagjinit është Barcelonë për to”, përfundoi Rexhepi.