75 Mall Live Search
09:19 / E Premte, 25 Korrik 2025 / Z S

Rexhepi: Kuvendi s’është firmë private, nëse s’ka kompromis të shkohet në zgjedhje

26 korriku është dita e fundit kur deputetët mund të konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda afatit ligjor që e caktoi Gjykata Kushtetuese.

Sot, do të mbahet vazhdimi i radhës i seancës konstituive për të 52-n herë dhe kjo mund të jetë edhe seanca e fundit brenda këtij afati të caktuar nga Kushtetuesja.

Mungesa e kuorumit dhe mospajtimet ndërmjet partive politike kanë pamundësuar krijimin e institucioneve të reja.

Zëvendëskryeministrja në detyrë dhe kryetarja e partisë boshnjake NDS, Emilija Rexhepi, në një prononcim për “Front Online” ka reaguar pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit, duke kritikuar ashpër sjelljen e deputetëve.

Ajo ka thënë se të gjithë deputetët kanë përgjegjësi të përbashkët për krijimin e institucioneve dhe shmangien e bllokadave.

“Të gjithë duhet të votojmë për parlamentin, nuk e kuptoj sjelljen e papërgjegjshme të të gjithë deputetëve, të gjithë jemi përgjegjës për krijimin e institucioneve në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj bllokimi që do t’u shkaktojë dëme të mëdha qytetarëve tanë”, u shpreh ajo për Front Online.

Rexhepi shpreson se ndërgjegjësimi i deputetëve do të ndodh në ditët në vijim.

Tutje, ajo përmendi edhe problemin për pagat e punonjësve të RTK-së.

“Kemi shumë marrëveshje që duhet të ratifikojmë, buxheti i shtetit duhet të votohet, tashmë kemi problemin e punonjësve të RTK-së që kanë mbetur pa paga mujore dhe shumë më tepër. Shpresoj që ndërgjegjësimi i deputetëve do të mbizotërojë për rëndësinë e votimit”, tha Rexhepi.

Ajo tha se deputetët duhet ta kuptoj se kauza për shtetin është më e madhe, dhe se Kuvendi nuk është firmë private.

‘’Deputetët nuk po arrijnë të kuptojnë se institucionet nuk janë firma private dhe se puna e deputetit është përgjegjësi vetëm ndaj popullit dhe institucioneve. Të gjithë duhet të mendojmë në mënyrë shtetformuese dhe kombëtare’’, tha ajo.

Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministrja në detyrë është deklaruar për “Front Online” lidhur me vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

Ajo tha se pret udhëzime më të qarta nga Kushtetuesja, ndërsa i bëri thirrje Presidentes që të përdorë autoritetin e saj për të ndikuar te partitë politike.

“Personalisht pres udhëzime më të sakta nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me zgjidhjen e situatës aktuale, dhe pres që Osmani të përdorë autoritetin e saj për të ndikuar te partitë politike shqiptare që të mos debatojnë se kush ka të drejtë dhe kush jo, ose kush mundet dhe kush nuk mundet, por të gjithë të marrin një pjesë të përgjegjësisë dhe të votojnë për parlamentin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

Rexhepi vlerëson se duhet të shpallen zgjedhjet nëse nuk ka bashkëpunim mes partive.

“Nëse nuk arrihet kompromis, le të shpallin zgjedhje qendrore sa më shpejt të jetë e mundur. Mendoj se kjo situatë nuk është e drejtë as për qytetarët që votuan për ne”, potencoi Rexhepi.

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi, ka folur pas raportimeve se Fatmir Limaj nga NISMA mund të propozohet për kryetar të Kuvendit, pas një takimi që ai pati me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ajo tha se nuk ka asnjë informacion për një propozim të tillë dhe se kandidatura e Vetëvendosjes ka qenë që në fillim, Albulena Haxhiu.

Tutje, Rexhepi thotë se Kurti po bisedon me Limaj për krijimin e një qeverie jo për kryeparlamentar.

“VV-ja është parti fituese dhe ka të drejtë të propozojë kandidatin e vet për Kryetare të Kuvendit, dhe që nga fillimi ka qenë Albulena Haxhiu. Nuk kam asnjë informacion tjetër për asnjë deputet tjetër. Kryeministri Kurti po bisedon me deputetin Limaj për krijimin e një qeverie, për aq sa di unë, jo për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit”, ka deklaruar Rexhepi.

Ajo shtoi se e vetmja zgjidhje reale për të dalë nga kriza politike janë zgjedhjet e reja.

“E vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo krizë janë zgjedhjet e reja, le të vendosin qytetarët, jo individët. Ne të gjithë jemi të zëvendësueshëm, askush nuk është i përhershëm”, ka thënë Rexhepi./Indeksonline/