75 Mall Live Search
09:36 / E Premte, 22 Gusht 2025 / S Z

Rexhepi: Të gjithë po luajnë, askush s’është i gatshëm të marrë vendim dhe të shkojmë në zgjedhje

Kuvendi i Kosovës as të mërkurën nuk arriti ta bënte konstituimin.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi herën e parë Albulena Haxhiun e cila dështoi sërish t’i siguronte votat për kryetare të kuvendit. Pas Haxhiut nga LVV, u propozua Donika Gërvalla e as ajo nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme.

Deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti – Selimi, nuk mori pjesë në votim kur u propozua Donika Gërvalla për kryeparlamentare.

Ajo ka deklaruar se mospjesëmarrja nuk lidhet me motive partiake, por ka të bëjë me postimet e Gërvallës që Rexhep Selimin e quante figurë të krimit.

Deputetja boshnjake, Emilja Rexhepi ka deklaruar se Kushtetuesja ka urdhëruar që të gjithë të votojnë, derisa thotë se Shqipe Selimi nuk ka votuar fare.

Rexhepi e përmendi edhe Duda Baljen e cila ka votuar kundër.

“Duda ka votuar kundër, Shqipja të paktën nuk ka votuar. Gjykata Kushtetuese na ka urdhëruar që të gjithë duhet të votojmë. Qoftë për, kundër apo abstenim. Askush nuk e përmend Dudën. Të gjithë përmendin vetëm Shqipën”, potencoi Rexhepi.

Rexhepi thotë se po presin se çfarë do të ndodhë në kuvend sot.

“Deri dje kemi votuar për Albulenën dhe nuk ia dolëm. VV-ja propozoi Donikën si kandidate, as ajo nuk kaloi. Opozita dhe dy deputetët e tjerë, Shqipja dhe Duda, nuk e votuan. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha ajo.

Pas dështimit të seancës së Kuvendit të Kosovës për votimin e kryetarit të ri, zëvendëskryeministrja në detyrë dhe kryetarja e partisë boshnjake NDS, Emilja ka deklaruar se askush nuk është i gatshëm të bëjë zgjidhje e të shkojmë në zgjedhje.

“Të gjithë disi po luajnë, por asnjëri prej tyre nuk është i gatshëm të marrë një vendim dhe të shkojmë në zgjedhje. E gjithë kjo është e trishtueshme”, tha ajo.

Rexhepi ka bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe respektim të Kushtetutës.

“Unë jam dikush që i respekton të gjitha rregulloret ligjore dhe dikush që ka votuar disa herë në përbërjet e mëparshme të parlamentit, presidentit dhe qeverisë, duke e konsideruar këtë si detyrën tonë si deputetë të popullit”, tha Rexhepi.

Ajo tha se mënyra e votimit nuk përbën problem për të, duke nënvizuar respektin e saj ndaj rendit kushtetues.

“Nuk ka rëndësi për mua nëse votojmë publikisht apo fshehurazi, as nuk është e nevojshme që dikush nga Gjykata Kushtetuese të më thotë se si të votoj, unë e respektoj Kushtetutën dhe aty nuk ka dilemë”, deklaroi ajo.

Sipas saj, partia fituese ka të drejtë të zgjedhë vetë kandidatin që do t’ia propozojë Kuvendit për votim.

Ajo thotë se është qesharake se si po tenton opozita të direktojnë të tjerët të propozojnë kandidatë.

“VV-ja, si parti fituese, ka të drejtë të vendosë vetë se cilin kandidat do t’ia propozojë kuvendit për votim. Pse duhet të veprojë sipas direktivave të opozitës se kush është kandidat i mirë e kush jo? Mendoj se është mendim qesharak dhe i papjekur”, shprehet ajo.

Rexhepi shtoi se edhe në të kaluarën ka pasur kandidatë që ajo nuk i ka konsideruar të përshtatshëm, por i ka votuar për shkak të partisë fituese.

“Ndoshta edhe për mua shumë herë më parë ndonjëri nga kandidatët për kryetar parlamenti nuk ka qenë i mirë, por unë e kam votuar sepse ka qenë propozim i partisë që ka fituar në zgjedhje dhe ajo ka të drejtën për këtë”, tha Rexhepi për Front Online-n.

Sipas saj, përmes këtij procesi hapet rruga për krijimin e institucioneve të reja.

“Kështu hapet rruga drejt krijimit të qeverisë së re, aty pastaj ka bisedime dhe lloj-lloj koalicionesh, atëherë mund të jeni edhe për, edhe kundër – kjo është e drejta juaj. Nëse nuk i keni 61 vota, atëherë shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Rexhepi.