Rezervat shtetërore/ Sot mbahet seanca e shqyrtimit fillestar
Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit, rreth skandalit me rezervën shtetërore.
Seanca është caktuar të fillojë në orën 09:30.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor ndaj ministres në detyrë, Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore.
Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.
“Si rezultat i veprimeve të të pandehurve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, kishte njoftuar Prokuroria.
Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
Më 2023, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, si dhe afaristi Ridvan Muharremi, u arrestuan për këtë rast.

