14:28 / E Diele, 22 Nëntor 2020 / Blerim

Rezultat i pritshëm në mungesë të garës, Monika Kryemadhi rizgjidhet në krye të LSI-së

Ashtu siç pritej me një rezultat aspak surprizues në mungesë të garës dhe kandidatëve të tjerë përballë saj, Monika Kryemadhi është rizgjedhur në krye të LSI-së me votimet që u zhvilluan ditën e djeshme nga anëtarët e kësaj partie.

Silva Caka, Kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve në LSI, tha se Monika Kryemadhi u konfirmua me 42 807 vota pro nga 44 413 vota që ishin gjithsej duke marrë kështu mandatin e dytë në krye të LSI-së. Sipas Cakës votat kundër Kryemadhit ishin 1302, ndërsa 304 vota rezultuan të pavlefshme.

Ju bëjmë me dije, se për shkak të ndalimit të qarkullimit prej 22:00-06:00 materialet zgjedhore për disa qendra votimi jashtë qarkut të Tiranës janë dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë paradites së sotme. Bazuar në tabelat përmbledhëse të rezultateve, konfirmojmë se ka përfunduar procesi i numërimit të fletëve të votimit për kryetarin e Lëvizjes Socialiste  për Integrim. Nga rezultatet e administruara kanë votuar 44.413 anëtarë nga të cilët 42.807 votuan pro kandidatit për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, zonjën Monika Kryemadhi. Bazuar në rezultatet e mësipërme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall kryetare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhin”, tha Caka.

Silva Caka tha se vijon ende procesi i numrit të votave për delegatët e Konventës Kombëtare, ndërsa inkurajon grupet e numërimit për të nxjerrë sa më shpejt rezultatin për ekipin fitues të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Vijon ende procesi i numërimit të votave për delegatët e Konventës Kombëtare, rezultati i cilit do të shpallet menjëherë pasi KQZ të njihet me tabelat përmbledhëse të rezultatit për çdo qendër votimi. Një falenderim i veçantë i shkon anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit për menaxhimin e një procesi në përputhe me rregulloren, urdhrat dhe udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Inkurajojmë grupet e numërimit për të nxjerrë sa më shpejt rezultatin për ekipin fitues të Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha Caka.

Në zgjedhjet për delegatët e Konventës Kombëtare dhe Kryetarin e LSI, morën pjesë 44.413 anëtarë ose 80.7% e anëtarësisë. Votimet ishin online dhe në qendra votimi duke, ku shifrat e dhëna nga Silva Caka referojnë se 28.285 anëtarë të LSI votuan fizikisht dhe mbi 16.128 anëtarë votuan online.