75 Mall Live Search
22:35 / E Diele, 30 Gusht 2020 / indeksADMonline

Rezultate të barabarta të dy koalicioneve më të mëdha në Mal të Zi

Vendvotimet për zgjedhjet paralmentare në Mal të Zi, si dhe për zgjedhjet lokale në pesë komuna të këtij shteti, u mbyllën të dielën në orën 20:00.

Me 64% të mostrës së përpunuar të materialit të votimit nga zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit Millo Gjukanoviq, ka fituar 34.4 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar, i udhëhequr nga Fronti Demokratik, 33.3 për qind.

Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi kanë votuar 75.9 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, përkatësisht 409,880 votues, njoftoi organizata joqeveritare Qendra për Tranzicionin Demokratik.

Në një postim në Twitter, kjo qendër kujtoi se në zgjedhjet paraprake të 2016-ës në Mal të Zi pjesëmarrja ka qenë 73.4 për qind, ndërsa në ato të 2012-ës kanë votuar 70.6 për qind e qytetarëve.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha pas votimit se nuk ka rrezik për stabilitetin e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa tensionet, sipas tij, vijnë nga adresa jashtë Malit të Zi.

“Shoqëria malazeze ka kaluar nëpër tundime të tilla disa herë, andaj nuk shoh ndonjë rrezik për stabilitetin e Malit të Zi dhe për sigurinë e qytetarëve”, tha Gjukanoviq.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.

Për 81 ulëset parlamentare kanë garuar gjashtë koalicione dhe pesë parti.

Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.

Njëkohësisht janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.

Të drejtë vote kanë pasur 540,026 qytetarë.

Zgjedhjet janë vëzhguar nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 kanë qenë të huaj.