Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme ende pa certifikim, KQZ pret përfundimin e ankesave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po pret përfundimin e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura më 31 janar 2026, para se të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave përfundon sot.
“Aktualisht, procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave përfundon sot”, tha Elezi.
Ai shtoi se Komisioni do të presë derisa të gjitha vendimet të bëhen të plotfuqishme dhe vetëm pas kësaj do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare.

