75 Mall Live Search
23:30 / E Hënë, 06 Tetor 2025 / Burim

Rezultatet paraprake tregojnë përfaqësim të ulët të grave dhe pakicave në Parlamentin sirian

Siria ka publikuar rezultatet paraprake të votimeve indirekte për Parlamentin e parë që nga rrëzimi nga pushteti i Bashar al-Assadit vitin e kaluar. Zyrtarët zgjedhorë pranuan më 6 tetor se gratë dhe pakicat fetare kanë pasur një shkallë të ulët të suksesit.

Në votimet e së dielës, rreth 6 mijë anëtarë të kolegjeve zgjedhore rajonale zgjodhën kandidatë nga listat e miratuara paraprakisht si pjesë e procesit të formimit të gati dy të tretave të Parlamentit të ri prej 210 ulësesh.

Presidenti i përkohshëm, Ahmed al-Sharaa, më vonë do të zgjedhë një të tretën e anëtarëve të mbetur.

Ahmed al-Sharaa është president i përkohshëm i Sirisë, prej rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit.

Në ditët para votimit, analistët dhe disa sirianë shprehën shqetësime se procesi është i centralizuar shumë dhe pezullimi i mbajtjes së zgjedhjeve në zonat jashtë kontrollit të Qeverisë do të thotë se jo të gjitha komunitetet do të përfaqësohen në mënyrë të drejtë.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara të hënën, Komiteti Zgjedhor i Sirisë njoftoi se 119 ligjvënës janë zgjedhur, por nuk treguan se sa vota kanë marrë secili prej tyre.

Gjashtë nga ligjvënësit e rinj janë gra, sipas numërimit të realizuar nga Reuters dhe që është verifikuar nga vëzhguesit zgjedhorë. Vëzhguesit thanë se gjithsej dhjetë ulëse kanë shkuar për pakicat fetare dhe etnike, përfshirë kurdët, të krishterët dhe dy alavitë – sektit fetar që i përkiste edhe Assadi.

Një nga vëzhguesit e zgjedhjeve e përshkroi Parlamentin e ri sirian si trup të përbërë kryesisht nga burra myslimanë sunitë.

Zëdhënësi i Komitetit të Lartë Zgjedhor të Sirisë, Nawar Najma, u pyet në një konferencë për media për përfaqësimin e grave dhe të krishterëve.

“Ndër mangësitë kryesore të procesit zgjedhor ishin rezultatet jo të kënaqshme sa i përket përfaqësimit të grave siriane, si dhe fakti që përfaqësimi i të krishterëve u kufizua vetëm në dy ulëse, një përfaqësim i dobët krahasuar me numrin e të krishterëve në Siri”, tha ai.

Najma tha e beson që Sharaa do të tentojë të adresojë këto mangësi kur të bëjë emërimet e 70 ligjvënësve të tjerë.

Autoritetet thanë se kanë përdorur një sistem indirekt të votimit dhe jo votimin e drejtpërdrejtë për shkak të mungesës të të dhënave të besueshme mbi popullsinë e Sirisë pas luftës, kur u vranë qindra mijëra sirianë dhe u zhvendosën miliona të tjerë.

Duke u thirrur në arsye sigurie dhe politike, autoritetet shtyn votimin në zonat që janë jashtë kontrollit të Qeverisë, përfshirë në pjesët veriore dhe verilindore të Sirisë që kontrollohen nga kurdët dhe në provincën e Sueidës, ku kontrollin e ka minoriteti druze.

Kjo shtyrje ka bërë që 21 ulëse të mbeten të zbrazta.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka ratifikuar një dekret, duke krijuar një sistem të përkohshëm zgjedhor.

Najma tha për gazetarët se mbajtja e zgjedhjeve në zonat kurde lidhet me progresin në negociatat për integrimin e këtyre zonave në aparatin shtetëror.

Parlamenti kishte pak më shumë ulëse gjatë sundimit të Assadit, përkatësisht 250 ulëse, kur dy e treta e ulëseve ishin të rezervuara për anëtarët e partisë së tij, Baath. Zgjedhjet e fundit të mbajtura në korrik të vitit 2024 ishin cilësuar si farsë nga kundërshtarët e Assadit.

Përfaqësimi i grave në Parlament ka qenë po ashtu i ulët gjatë sundimit të Assadit dhe babait të tij, Hafez al-Assad. Deputetet përbënin vetëm 6 deri në 13 për qind të përbërjeve të legjislaturave nga viti 1981 deri në rrëzimin e Assadit, sipas Unionit Ndërparlamentar, i cili mbledh të dhëna mbi parlamentet kombëtare në mbarë botën.