08:05 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Rezultati i balotazhit, revolucion lokal

Rezultati i zgjedhjeve të fundit vlerësohet si revolucion lokal, i cili do të nxisë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend. Nga këto zgjedhje më e lënduara ka dalë Partia Demokratike e Kosovës, përderisa partneri i saj i koalicionit qeveritar (AAK) vlerësohet si fitues i balotazhit. “Vetëvendosje” ka fituar dy komunat më të mëdha në vend, Prishtinën dhe Prizrenin, ndërsa LDK-ja ka “rrëmbyer” hisen më të madhe në nivel lokal.

Rezultati i rundit të dytë të zgjedhjeve lokale u ka treguar edhe një herë partive politike se bastionet nuk janë të sigurta. Ky rezultat ka qenë befasues jo vetëm për opinionin publik, por edhe për vetë partitë politike.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, të cilët thonë se tashmë nuk ka asnjë bastion të sigurt.

Megjithëkëtë ata vlerësojnë se rezultati i mirë i disa partive në këto zgjedhje mund t’i nxisë ato që të bëjnë përpjekje për organizim të zgjedhjeve nacionale, shkruan “Zëri”.

Me gjithë sukseset dhe dështimet shumica e partive politike shprehen të kënaqura me rezultatet e zgjedhjeve lokale.

Përderisa përfaqësuesit e LDK-së (partia që mori më së shumti komuna, tetë), shprehen të sigurt se një rezultat i tillë do t’u përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale, ata të PDK-së konsiderojnë se beteja në këtë garë ka qenë e pabarabartë (ani pse fitoi 5 komuna).

Fituesja e dytë e këtyre zgjedhjeve (AAK-ja, me 7 komuna) konsideron se ky rezultat dëshmon stabilitetin dhe rritjen e këtij subjekti, ndërsa ata të LVV-së, ndonëse mbeten të kënaqur me rezultatin, pas fitores në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë thonë se kishin synime më të mëdha.