75 Mall Live Search
21:49 / E Diele, 28 Dhjetor 2025 / MSH1

“Rezultati i zgjedhjeve: Abdixhiku njofton hapat që do të ndërmarrë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se do të thërrasë kuvendin e partisë, për të diskutuar për hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë, lidhur me rezultatin zgjedhor.

Abdixhiku falënderoi të gjithë qytetarët që i besuan programit të Lidhjes, shkruan IndeksOnline.

Ai tha se ky është një moment i thellë i reflektimit, duke shtuar se kur qytetarët flasin, ata i dëgjojnë.

Abdixhiku mori përgjegjësi të plotë për rezultatin e zgjedhjeve, por nuk dha dorëheqje nga posti i kryetarit.

“Rezultati i LDK-së, nuk është ai që e kemi pritur. Nuk është ai që unë, si kryetar, kam dëshiruar të shoh ndonjëherë. Ky është një moment reflektimi i thellë, i përgjegjësisë dhe serioziteti politik. Kur qytetarët e Kosovës flasin, ne duhet t’i dëgjojmë. Kur populli jep verdiktin e vet, ne duhet patjetër ta respektojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit janë të gatshëm të bartin përgjegjësi, jo vetëm kur fitojnë e kur kanë festë, por edhe kur kanë humbje si kjo e sontmja.

Këto pesë vite që kam udhëhequr me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kam bërë dhe vepruar gjithmonë ashtu siç kam besuar se është më e mira për LDK-në, strukturat tona, besimin e qytetarëve dhe të ardhmen e kësaj shtëpie politike me peshë të madhe historike. Megjithatë, sot duhet të them hapurr dhe me ndershmëri: Nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë. Kam ndërtuar ekip me njerëzit më të mirë që kam besuar, kemi ndërtuar program të plotë, serioz dhe modern. Kemi bërë një fushatë dinjitoze dhe të përgjegjshme, që nuk i ka munguar asgjë në përmbajtje dhe përkushtim.

Por, ky është verdikti qytetar dhe përballë këtij verdikti përulemi të gjithë” deklaroi mes të tjerash ai.