75 Mall Live Search
11:40 / E Mërkurë, 09 Shtator 2020 / indeksADMonline

Grenelli, flet për Ujmanin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës

I dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në një intervistë për mediat amerikane ka shpjeguar marrëveshjen për normalizim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

“Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë është historike për të dyja vendet. Kemi qenë duke luftuar për simbolizëm dhe fjalë për 21 vjet. Këtë e quajnë proces politik. Vendet nuk kanë qenë në gjendje të lëvizin para në ekonomi. Donald Trumpi më ka thënë t’i bëjmë bashkë për normalizim ekonomik, të tentojmë të punojmë së bashku për punë të mira për të rinjtë, kjo ka qenë ideja. Injorimi i luftërave të fjalëve dhe simbolizimit. Të tentojmë të shtyjmë palët të ulin barrierat sa më poshtë që të munden në aspektin ekonomik. Kemi marrëveshje ajrore, fluturim i parë për 21 vjet midis Prishtinës e Beogradit të fillojmë lëvizjen në tregti. Marrëveshje hekurudhore që do të lëvizë tregtinë midis të dyjave”, ka thënë Grenelli për ACLJ.org.

Diplomati amerikan po ashtu ka thënë se pika ku flitet për Liqenin e Ujmanit ka të bëjë me studimin e fizibilitetit nga Qeveria amerikane për të parë mundësitë e shfrytëzimit të ujit për qëllime energjetike.

“Ne do bëjmë një studim fizibiliteti të Qeverisë amerikane në liqen që është i shfrytëzuar nga të dyja shtetet, pjesa më e madhe nga Kosova dhe pjesërisht nga Serbia se si të gjendet mënyra për të shfrytëzuar ujin për çështje të energjisë”, ka thënë ai.

Emisari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se dy shtetet janë pajtuar që t’i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë.

“Dy shtetet janë pajtuar që t’i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë që do të thotë se për Serbinë është shumë e rëndësishme pasi 100 për qind e energjisë së saj vjen nga Rusia dhe ata janë pajtuar që ta zgjerojnë burimin e tyre të energjisë, që do të thotë të largohet nga Rusia”, teksa ka shtuar se lëvizja e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem do të thotë lëvizje e rajonit të Ballkanit Perëndimor në anën e Perëndimit dhe qëndrimit larg Rusisë dhe Kinës./IndeksOnline/