75 Mall Live Search
22:05 / E Shtunë, 16 Nëntor 2024 / MSH

Riga Shala shpallet sportistja më e mirë në Kupën e Kosovës, siguron kualifikimin për Kampionatin Botëror të notit

Riga Shala, 17-vjeçare nga Prishtina dhe pjesë e Klubit të Notit Prishtina, ka arritur një sukses të madh në garat e sotme të Kupës së Kosovës. Ajo u shpall sportistja më e mirë, pasi grumbulloi më së shumti pikë FINA nga tri disiplina të ndryshme, duke dëshmuar performancën e saj të shkëlqyer dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj këtij sporti.

Riga poashtu shkëlqeu në arenën ndërkombëtare gjatë garave “Skopje Open”, të mbajtura më 9-10 nëntor 2024 në Shkup. Aty, ajo grumbulloi 620 pikë FINA, rezultat që i siguroi kualifikimin për të përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror të Notit, i cili do të mbahet në Budapest nga 10 deri më 15 dhjetor 2024.

Suksesi nuk ndaloi vetëm me Rigen. Klubi i Notit Prishtina, nën drejtimin e trajneres së talentuar Vlera Llalloshi, triumfoi në kategorinë Junior për vajza, duke fituar Kupën e Kosovës. Kjo është një dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të klubit në ndërtimin e talenteve të reja.

Riga Shala dhe ekipi i saj janë frymëzim për komunitetin sportiv në Kosovë, duke dëshmuar se me përkushtim dhe punë të palodhshme, sukseset mund të arrihen si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.