75 Mall Live Search
13:37 / E Hënë, 23 Shkurt 2026 / KV

Rigjykimi/ Dushko Arsiq dënohet me 13 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykim e ka shpallu fajtor dhe e ka dënuar me 13 vjet burgim Dushko Arsiqin, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.

Aktgjykimi ndaj Arsiqit u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Violeta Namani-Hajra, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Ismaili tha se në dënimin me burgim, të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Arsiqit i vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më tepër se dënimi i shqiptuar.

I akuzuari obligohet edhe për shpenzimet e procedurës- për paushallin gjyqësor 200 euro dhe 100 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, të gjitha në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

I dëmtuari Artan Krasniqi udhëzohet në kontest të rregullt juidiko-civil për kërkesën pasurore-juridike.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 shkurt 2024 e ka dënuar me 13 vjet burg të akuzuarin Arsiq. Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiqi në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si edhe për vrasje.

Arsiq akuzohej se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15-vjeçar, që trupin e viktimës B.SH., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.

Me këtë, Arsiq akuzohej se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të RSFJ-së.