Rikhehet në funksion A4-shi, pas riparimit vjetor
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton opinionin publik se njësia A4 e termocentralit “Kosova A” ka përfunduar me sukses riparimin e rregullt vjetor dhe është rikthyer në operim.
Startimi i njësisë ka filluar në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:00, ndërsa pas përfundimit të procedurave teknike dhe kontrolleve të nevojshme, njësia A4 është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 05:15.
Rikthimi i njësisë A4 në operim forcon kapacitetet vendore të prodhimit dhe rrit gatishmërinë teknike të KEK-ut në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror.
KEK-u falënderon menaxhmentin, ekipet teknike, inxhinierët dhe të gjithë punonjësit e TC “Kosova A” për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e treguar në realizimin me sukses të këtij riparimi.

