18:54 / E Premte, 18 Shtator 2020 / indeksADMonline

Rikonfirmohet përkrahja e shtuar e Austrisë në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, sot në Vjenë është pritur në takim zyrtar nga homologu i saj, Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Austrisë, Alexander Schallenberg.

“Kisha një pritje të përzemërt sot në Vjenë nga Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Austrisë. Shpreha falënderimin tim për përkrahjen e madhe të Austrisë në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës, me theks të veçantë në integrimin e diasporës tonë këtu dhe në shkollimin e mijëra studentëve nga Kosova”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.

Me homologun austriak, Kryediplomatja Haradinaj Stublla tha se ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave, zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për Marrëveshjen e Uashingtonit, duke e konsideruar atë si hap drejt marrëveshjes finale me Serbinë, që do derivojë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

“Schallenberg më rikonfirmoi përkrahjen e shtuar të Austrisë në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, për të na afruar edhe më shumë drejt integrimit tonë në Evropë, aty ku dhe e kemi vendin për nga vlerat dhe orientimi”, tha Ministrja Haradinaj Stublla, e cila gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një sërë takimesh zyrtare në kryeqytetin austriak.