Rikonfirmohet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet ushtrive Kosovë-Shqipëri

Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion nga Komanda e logjistikës e FSK-së, kryesuar nga zëvendëskomandanti i KL-së, kolonel Mehmet Lladrovci, realizoi një vizitë zyrtare pranë Komandës mbështetëse dhe strukturave vartëse të saj në FARSH.
Forca e Sigurisë e Kosovës, njofton se gjatë kësaj vizite u zhvilluan takime në fushën logjistike, ku u pritën nga komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneralbrigade Aleksandër Pando dhe stafi i tij dhe në fushën shëndetësore, ku u pritën nga zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneralbrigade Vehbije Kuti dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit Shëndetësor të FARSH-së nënkolonel Marinela Mjeda.
“Në kuadër të këtyre takimeve delegacioni nga FSK-ja u informua në detaje rreth strukturës, kapaciteteve logjistike dhe atyre shëndetësore të FARSH-së, si dhe biseduan për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave duke rikonfirmuar përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy ushtrive”, njofton FSK-ja.