Rikthehen makinat më të vjetra se 10 vjet në Shqipëri
Qeveria e Shqipërisë rrëzon vendimin për ndalimin e importit të mjeteve para vitit 2009.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Ekonomisë, Belinda Balluku njoftoi zyrtarisht përmes një deklarate se qeveria ka vendosur “Shtyrjen e afatit të hyrjes së fuqi të importit të makinave të vjetra, nga data 28 shkurt 2019 që ishte më parë, në 31 dhjetor 2019”. Sipas këtij vendimi, mjetet e prodhuara para vitit 2009, do të lejohen të futen në Shqipëri për qëllime tregtare dhe përdorimi. Por, në deklaratën e ministres, citohet edhe një tjetër ndryshim që lidhet me afatin e zhdoganimit, e që i vendoset pikërisht data 31 dhjetor 2019. Ministrja Balluku e arsyeton rishikimin e vendimit me një lumë ankesash që janë adresuar nga qytetarët, por ky vendim ka edhe një prapaskenë që i ndëshkon këta të fundit pikërisht në xhepat e tyre.
Ajo që ka ndodhur me importin e automjeteve para datës 2 dhjetor 2018, (moment kur hyri në fuqi ligji që nuk lejonte futjen e makinave të prodhuara para vitit 2009), në dogana tona kishte një numër të madh automjetesh që ishin porositur, por për arsye të ndryshme nuk u zhdoganuan në kohë. Automjetet u bllokuan dhe qëndruan aty me argumentin se ligji ka hyrë në fuqi dhe mund të zhdoganohen vetëm në rast të një udhëzimi. Ky udhëzim mbërriti vetëm sot, por qytetarëve do u duhet të paguajnë rreth 50 mijë lekë për parkimin e atyre automjeteve të bllokuara në doganë. Pra, vendimi i parë dhe rikthimi i tij në pikën zero është bërë me qëllim rritjen e tarifave që qytetarët duhet të paguajnë si kosto për parkimin. Qytetarët e interesuar janë njoftuar se nëse një automjet është futur në fundin e nëntorit të vitit të kaluar, do të paguajë tarifë ekstra vetëm për parkimin, shumën prej gjysmë milionë lekë, pa llogaritur më pas tarifën doganore dhe shpenzimet e tjera për tu pajisur me dokumentacionin e plotë.
Kthimi i vendimit
Në deklarataën e saj për mediat ministrja e Infrasktrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballku shpjegoi se ishin ankesat e qytetarëve ato që e detyruan të rishikonte vendimin, por duke vendosur edhe rregulla për emetimin e gazeve të makinave që do të importohen deri në fund të këtij viti. “Jam këtu për t’ju komunikuar disa ndryshime të bëra gjatë mbledhjes së Qeverisë në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 633, datë 26.10.2018 “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete”. Kërkesat për këto ndryshime kanë ardhur fillimisht nga qytetarët përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.
Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë organizoi një dëgjesë publike, me përfaqësues të grupeve të interesit. Ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë shqyrtuar me kujdes të gjitha pretendimet e grupeve të interesit, duke vlerësuar dhe interesin primar për mbrojtjen e mjedisit nga shkarkimet e gazrave në ajër. Po ashtu janë konsultuar praktikat më të mira europiane, që janë aktualisht në fuqi, për të bërë të mundur gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale, e cila nga njëra anë do të siguronte kushtet e duhura për mbrojtjen e mjedisit dhe nga ana tjetër nuk do të cenonte aktivitetin ekonomik në këtë fushë. Ndryshimet e miratuara në mbledhjen e Qeverisë në VKM 633 konsistojnë në: Shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të kësaj vendimmarrje. Nga data 28 shkurt 2019 që ishte në VKM 633, afati shkon në datën 31 dhjetor 2019. Zhdoganimin e automjeteve që kanë hyrë në Shqipëri pas hyrjes në fuqi të VKM 633. Me ndryshimin e bërë sot parashikohet që do të lejohet zhdoganimi i të gjitha mjeteve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë deri në datë 31 dhjetor 2018. Standardizimin sipas parametrave matës për emetimin e gazrave me standardet e BE-së. Automjetet e përdorura që do të futen në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të përmbushin kushtet teknike Euro 4, ndërkohë që automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet Euro 5 dhe Euro 6.
Mashtrimi
Në 22 shtator 2018, në ditën pa makina, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi prezantoi projektvendimin për eliminimin nga tregu të makinave të vjetra. Sipas ministrit, projektvendimi nuk prekte makinat në përdorim, por kufizonte futjen e makinave të tilla pas 1 janarit 2019. Ndërsa për makinat e patarguara që janë aktualisht në Shqipëri u la një afat 5-mujor që të regjistrohen. Klosi theksoi se kjo nismë bëhet në mbështetje të shëndetit të qytetarëve, pavarësisht kundërshtimit nga grupe të caktuara interesi si komuniteti i menaxhimit të biznesit, ata që merren me riparimin e makinave të vjetra dhe shitësit e karburantit. “Në radhë të parë ne flasim për shëndetin dhe kur bëhet biseda për shëndetin nuk ka nevojë që të bësh asnjë bisedë tjetër. Dhe për këtë ne duhet të marrim veprime drastike për të kufizuar ndotësit dhe prandaj marrim këtë mekanizëm drastik sepse duam që të reduktojmë në maksimum ndotjen e ajrit”, deklaroi ministri.
Të dhëna
Nga rreth 10 vjet që është mosha mesatare e makinave në Bashkimin Europian, në vendin tonë kjo moshë është gati 20-vjeçare. Mosha e lartë e mjeteve motorike që qarkullojnë në Shqipëri ka si problem kryesor ndotjen e mjedisit nga emetimi i gazrave, ndërsa numërohen rreth 600 000 mjete të regjistruara.
Aktualisht shtete si Zvicra, Gjermania apo vendet nordike që kanë një ndjeshmëri të larte ndaj çështjeve mjedisore kanë programuar që në pak vite të nxjerrin nga qarkullimi mjetet me naftë dhe të favorizojnë motorët hibridë dhe elektrikë.
80 % e automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri janë prodhime para vitit 2007, çka referon për norma të larta ndotjeje, mbi nivelet e kërkuara nga BE.