Rikthehet energjia elektrike në Mitrovicë, gjendja në Trepçë normalizohet
KOSTT ka njoftuar qytetarët që pas aktiviteteve të pandërprera për rikthimin e furnizimit të plotë me energji elektrike në qytetin e Mitrovicës, komisioni i përbërë nga ekipet profesionale të KOSTT kanë dal me një zgjidhje të problemit në NS Trepça e cila u aprovua edhe nga menaxhmenti i Kombinatit Trepça dhe poashtu si rezultat i kryerjes së punimeve nga ekipet e KOSTT, sot në orën 18:20, është energjizuar transformatori energjetik T2 (63MVA) në NS 110/35/6.3 Trepça, i cili ishte jashtë pune si pasojë e avarisë së ndodhur në Nënstacionin e Trepçës prej nga edhe furnizohet i tërë konsumi i Mitrovicës.
Gjithashtu është energjizuar linja 110kV nga NS vushtrri 1 që ndërlidh nënstacionin Trepça, e cila mundëson furnizim stabil me kapacitet të plotë të nënstacionit, zgjidhje kjo e bërë nga KOSTT për një periudhe të shkurtër kohore, deri në rikthimin e plotë në punë të nënstacinonit Trepça dhe futjes në operim të nënstacionit të ri 110/10kV Mitrovica 2.
Ndërsa, edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka përgëzuar ekipet e mirëmbajtjes që kanë rikthyer energjinë dhe ka njoftuar se prodhimi në Trepçë do të vazhdoj sipas planit të ekspertëve.
“Nga mbrëmja e sotme të gjithë qytetarët e Mitrovicës do të jenë të furnizuar me energji elektrike dhe prodhimi në Kombinatin Trepça do të vazhdojë sipas planit të ekspertëve të KOSTT-it. Pas implementimit të planit me zgjidhje, kapaciteti i energjisë elektrike është 63MVA. Përgëzoj ekipet e mirëmbajtjes së KOSTT-it dhe KEDS-it, për punën e palodhshme, në kushte të rënda, për ta kthyer gjendjen në normalitet”, ka shkruar Haradinaj./Indeksonline/