75 Mall Live Search
21:32 / E Enjte, 05 Shkurt 2026 / B XH

Rikthehet në detyrë Drejtori Ekzekutiv Imer Hakaj

Pas një procesi sfidues gjatë vitit 2025, Drejtori Ekzekutiv për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Imer Hakaj, është rikthyer zyrtarisht në detyrë.

Kjo ka ardhur pas vendimit për zbatimin e ligjshmërisë nga KPMSHCK, organi kompetent për mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit në Shërbimin Civil të Kosovës.

Ky vendim konfirmon korrektësinë profesionale dhe institucionale të Hakaj, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe ka vazhduar angazhimin e tij në shërbim të vlerave të luftës dhe nderimit të dëshmorëve të lirisë.

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), janë realizuar dhe po vazhdojnë projekte madhore në mbrojtjen dhe promovimin e monumenteve dhe komplekseve memoriale në mbarë Kosovën, ndër të cilat veçohen:

Përfundimi i fazës së parë të zhvarrimit dhe rivarrimit të dëshmorëve të lirisë së Istogut në Kompleksin Memorial në Vrellë,

Investimet në Kompleksin Memorial në Jabllanicë të Gjakovës,

Kompleksi Memorial i Dëshmorëve në Klinë,

Projekti i shumëpritur për promovimin e protestuesve të demonstratave të vitit 1981,

Projekti i parë në Republikën e Kosovës për shënjësimin e të gjitha vendeve të rënies së dëshmorëve,

Projekti memorial në Rrasën e Zogut, kushtuar 40 dëshmorëve dhe mbi 200 të plagosurve në këtë pikë të rëndësishme të luftimeve të UÇK-së,

Projekti kombëtar për Zonën Operative të Dukagjinit,

Projekti i muzealizimit të Muzeut në Kompleksin Memorial në Penuh, Komuna e Podujevës,

Investimet në projektin për dëshmorët në Shtime,

Projektet për investime në Reçak,

Si dhe dhjetëra projekte të tjera në lapidarë dhe monumente në nivel vendi.

Gjatë përcjelljes së fazave të AMMKM-së, janë zhvilluar aktivitete të shumta, të cilat z. Hakaj i ka përmbyllur me përkushtim të lartë, duke fituar besimin e shumë familjeve të dëshmorëve, të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre në Luftën Çlirimtare.