75 Mall Live Search
16:17 / E Martë, 09 Korrik 2024 / MSH

Rikthehet në funksion ekskavatori në KEK, rinis prodhimi i qymyrit

yPunëtorët dhe stafi menaxhues i Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ) në Korporatën Energjetike të Kosovës, kanë arritur me sukses të riparojnë dhe rikthejnë në operim këtë gjigand të prodhimit të djerrinës.

Më 12 qershor, si pasojë e dëmtimit të mekanizmit të pajisjeve për ulje dhe ngritje të krahut 1, operatorët e ekskavatorit E- 10B janë obliguar ta ndalin me qëllim të evitimit të ndonjë dëmtimi të përmasave më të mëdha.

“Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të punonjësve dhe menaxhmentit të DPQ-së,  janë identifikuar defektet e paraqitura dhe menjëherë kanë filluar me riparimin e të njëjtave, madje duke përdorur teknika dhe teknologji të pa përdorura më parë, me ç ‘rast edhe është arritur që në kohë optimale të mënjanohen defektet dhe të aftësohet ekskavatori i cili tashmë është në operim dhe në gjendje stabile” thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Lidhur me këtë, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gerguri, ka falënderuar të gjithë stafin e DPQ-së, për përkushtimin dhe vullnetin e tyre për arritjen e rikthimit në operim të ekskavatorit E- 10B me sukses, duke inkurajuar ata që të vazhdojnë edhe në të ardhmen me inovacione të tilla të përdorura si në këtë rast, e të cilat ndikojnë pozitivisht në mbarëvajtjen e operimeve ditore dhe  sukseset e korporatës.