Rikthehet seriali “Ich bin Albaner”, aktori Ibrahimi paralajmëron shumë risi

Pas pauzës së verës nga sonte rikthehet në ekranin televiziv seriali “Ich bin Albaner”.
Kështu ka bërë të ditur producenti dhe autori i këtij seriali, aktori Kreshnik Ibrahimi, i cili ka paralajmëruar shumë befasi në edicionin e ri, shkruan “Indeksonline”.
“Ich bin albaner”, është emision i autorit, Kreshnik Ibrahimi që pëlqehet shumë nga publiku dhe ka një audiencë relativisht të madhe jo vetëm në diasporë, por kudo ku flitet shqip.
Seriali “Ich bin Albaner”, përshkruan në përpikëri jetën e shqiptarëve në diasporë, veçanërisht në Gjermani dhe Zvicër.
Fokus i aktorit Ibrahimi është nxjerrja në pah jo vetëm e mënyrës së jetesës së shqiptarëve në diasporë, por edhe publikimi i storieve të suksesshme dhe të arriturat e shqiptarëve në diasporë.
Emisioni “Ich bin albaner” transmetohet që disa sezone në formate të ndryshme.
Aktori i dashur për publikun Kreshnik Ibrahimi, është jashtëzakonisht falënderues për mbështetjen e madhe që vazhdimisht komuniteti i biznesit shqiptarë në Gjermani, por edhe Europë i ka dhënë atij për ta realizuar emisionin.
Kujtojmë se ky serial transmetohet çdo të dielë nga ora 21:00.