75 Mall Live Search
14:05 / E Hënë, 15 Qershor 2020 / indeksADMonline

Rimëkëmbja ekonomike dhe dialogu me Serbinë, prioritetet e Qeverisë së Hotit

Kabineti qeveritar i Kosovës ka miratuar sot planin e punës së Ekzekutivit dhe planin indikativ të punës së Qeverisë për vitet 2021-2023. Aty, kryeministri Avduallah Hoti ka përmendur prioritet e kësaj qeverie, ndër të tjera edhe rimëkëmbjen ekonomike pas krizës nga pandemia Covid-19 dhe dialogun me Serbinë.

“Prioritet yni i parë që është menaxhimi i pandemisë nga Covid-19, pastaj rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë dhe janë temat specifike sektoriale për secilin sektor veç e veç, duke filluar nga qeverisja, reforma institucionale dhe kohezioni shoqëror, pastaj programi zhvillimor ekonomik gjithëpërfshirës dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, çështjet e drejtësisë dhe reforma në drejtësi, politika e jashtme, integrimi në BE dhe dialogu me Serbinë”, tha Hoti.

Hoti përmendi dhjetëra objektiva e qindra aktivitete të parapara.

“Parashihen 11 prioritete, 58 objektiva dhe 434 aktivitete. Ky është programi legjislativ i Qeverisë i cili përcakton nevojën që ne të përgatisim 126 projektligje për të bërë të mundur realizimin e këtij plani të punës, është program i dokumenteve strategjike, i cili përcakton përgatitjen e 36 dokumenteve strategjike dhe është tabela B e planit ku përfshihen prioritetet sektoriale të ministrive veç e veç ku përcaktohen 98 objektiva dhe 560 aktivitete nga ministritë”, tha Hoti.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua edhe rregullorja përmes së cilës zëvendësohen disa shtojca të disa ministrive që kanë të bëjnë me qartësimin e përgjegjësive.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj tha se me ndryshimin e projektrregullores 06/2020 për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive do të zëvendësohen shtojcat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, asaj të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

“Ndryshimet janë bërë me qëllim të qartësimit të përgjegjësive të ministrive në fjalë në fushat specifike siç janë: ndërmarrësia dhe inovacioni në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, investimet strategjike që ndërlidhen me diasporën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si edhe inovacioni shkencor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, investimet e huaja dhe investimet strategjikë mbesin në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Selmanaj.

Gjithashtu sot, është miratuar edhe rregullorja për kufijtë e dozave dhe mbrojtjen nga rrezatimi e përcakton nivelin e referencës dhe kufizimet e dozave për ekspozimet profesionale, publike dhe mjekësore; kufijtë e dozave për punonjësit e ekspozuar, praktikantët, studentët dhe punëtoret e jashtëm të angazhuar në situata emergjente; si dhe nivelin e kufijve të radonit në vendet e punës.

Gjithashtu është votuar edhe për vendimet e Qeverisë që kanë mbetur në procedurat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ekzekutivi ka rekomanduar, që të procedohen tutje për shqyrtim në procedurat e Kuvendit, raporti i statistikave zyrtare për vitin 2019 dhe raporti tremujor financiar për vitin 2020, ndërsa të tërhiqen nga procedurat e Kuvendit Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale dhe Programi kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së stabilizim-asociimit 2020-2024.

Qeveria e Kosovës me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme i ka rekomanduar presidentit të që të autorizojë ministrin e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë midis Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore për financimin e “Projektit emergjent COVID-19 për Kosovën”.

Në parim është miratuar edhe vendimi për nismën e miratimit të “Protokollit numër 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve brenda CEFTA-s”.