75 Mall Live Search
11:24 / E Hënë, 12 Tetor 2020 / indeksADMonline

“Rinoqeronti” vjen premierë në Teatrin Kombëtar

“Rinoqeronti”, bazuar në tekstin më të drejtpërdrejtë të Ioneskos, si përfaqësues i teatrit të absurdit, shfaqja “Rinoqeronti” vjen si thirrje për shoqërinë e hutuar në banalitet dhe apati ndaj problemeve esenciale njerëzore, që banalizohet deri në absurditet, ku nëpërmjet ironisë, humorit dhe konsistencës për ndryshim, tenton të sjellë frymë dhe shpresë te shikuesi-vepruesi.

Kjo vjen në kohën e duhur, ku vetë shikuesi kosovar ka dilema të ngjashme me simbolikat e shfaqjes, që e bën këtë tematikë të njohur dhe të përditëshme për gjithësecilin që është i gatshëm të pranojë përgjegjsinë ndaj vetë jetës së tij-saj.

Shfaqja ngrihet si aktakuzë e fuqishme ndaj çdo fenomeni negativ të Kosovës së pasluftës, ku atakohen të gjithë ata që zgjodhen formën më të shpejtë të arritjes së qëllimit, që sipas vetë shfaqjes i shtyn në çnjerzim, ose shndërrim në (kafshë-rinoqeront), nëse i referohemi botës së shfaqjes.

Përmes personazheve kuptojmë thellësisht dilemën e njeriut në raport me të keqen, mëkatin, të lehtën, jo të arsyeshmën dhe padrejtësinë, ku nëpërmjet gjuhës së fortë të së vërtetës kjo shfaqje përçon shkundje dhe ngacmim.

Si portretizim i një shpirti revolucionar, Beranzhe do të etiketohet si njollë e bardhë në këtë mes të errët, ku vlerat humane janë përdhosur deri në gjendje të pashpresë. Përkundër pesimizmit që mund ta ndjellë te secili mosbesues, shfaqja përmes Beranzhes, shfaq besimin në optimizëm, pasi ne “akoma besojmë te njeriu modern”.