75 Mall Live Search
11:13 / E Premte, 18 Tetor 2024 / L K

Rinovohet çerdhja “Xixëllonjat” – Rama: Zhvillimi i nivelit arsimor, kyç për transformimin e kryeqytetit

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren, Jehona Lushaku-Sadriu, kanë përuruar institucionin parashkollor “Xixëllonjat” në lagjen “Pejton” e cila është rinovuar tërësisht.

Kryetari Përparim Rama, tha se zhvillimin e nivelit arsimor e shohin si kyç për transformimin e kryeqytetit. Tha se kjo çerdhe ka hapësirë për 250 fëmijë.

“Të gjithë e kemi pritur me zell të madh hapjen, institucion i cili mundëson më shumë se 250 fëmijë që të jenë pjesë e saj, të kalojnë kohë këtu. Ne si Kryeqytet e shohim zhvillimin e nivelit arsimor si kyç për transformim të kryeqytetit por edhe për të ardhmen tonë. Është me rendësi të madhe që të krijojmë kushte të mirëfillta, kushte më të mira të mundshme për me ma të vegjlit tan sepse pikërisht këta janë e ardhmja e jonë. Edhe kur krijojmë kushte të mira për ta ju mundësojmë që të mësojnë të edukohen, pra prej momentin kur institucionalizohen ne kemi përgjegjësi që të ju ofrojmë kushte më të mira. Prandaj e kemi ndërlidhur me kuzhinën qendrore që të kenë një ushqim të shëndetshëm. Kjo është një arritje e madhe edhe për këtë zonë të Prishtinës, pra për qendrën e Prishtinës sepse është një ndihmesë për prindërit”, tha Rama.

E drejtoresha e Arsimit e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, falënderoi Ndërmarrjen Publike Banesore për punët e kryera në këtë institucion.

“Kjo është dëshmi që kryeqyteti i kushton rëndësi fëmijëve të vet, i kushton rëndësi arsimit në përgjithësi dhe i kushton para të gjithash mësueseve që me një angazhim të shtuar i rrisim fëmijët tanë me shumë dashuri. Ky është një kopsht madhështor qe e meriton kryeqyteti, e meritojnë fëmijët tanë dhe gjendet pikërisht në qendrën e kryeqytetit”, tha ajo.