Rinumërohen rreth 88% e vendvotimeve
Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit është duke iu afruar fundit. Nga përditësimi i të dhënave në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se deri tashti janë rinumëruar më shumë se rreth 88 për qind e vendvotimeve apo 2.244 nga 2557 sa janë në total.
Rinumërimi i plotë u ndërmor pasi në rinumërimin e pjesshëm u hasën shumë manipulime në garën e kandidatëve për deputetë. Në secilën parti ka kandidatë që ka rezultuar se në numërimin e parë kanë përfituar qindra vota shtesë ose kanë humbur qindra vota.
Kampione e këtij manipulimi ka dalë të jenë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, me dhjetëramijëra vota të manipuluara.
Manipulimet që u shpërfaqën edhe në uebfaqen e KQZ-së kanë bërë që prokuroria të aktivizohet në disa rajone. Në Prizren janë paraburgosur 23 persona. Në Malishevë, 15 kryekomisionerë u ndaluan, ndërkaq hetime po zhvillohen edhe në komuna të tjera.
Pas publikimeve të rezultateve të rinumëruara, nuk ka kandidatë të partive shqiptare që e kanë humbur ulësen.

