Rizvanolli: Lusim qytetarët dhe bizneset që të kursejnë energji elektrike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë ftuar konferencë për media, për të dhënë detaje mbi zhvillimet e reja rreth sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”, që ka prekur edhe fushën e energjetikës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para mediave ka thënë detaje rreth orëve të para kritike pas sulmit.
“Kemi pasur nje mobilizim të të gjitha institucioneve dhe ndërrmarrjeve relevante. Ekipet e “Ibër Lepencit”, së bashku me Policinë e Kosovës, kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe në afat rekord, 7 orë pas sulmit, kanë zbatuar një zgjidhje të përkohshme për të mundësuar rrjedhën e ujit në kanal. Brenda pak kohësh, brenda në KEK kemi pasur dhjetëra cisterna të ujit për të ndihmuar me furnizim shtesë për termocentralin”, ka thënë Rizvanolli, shkruan Indeksonline.
Ajo ka bërë të ditur se rezervat e ujit janë monitoruar gjatë gjithë natës nga punonjësit relevantë.
“Rezervat e ujit në KEK dhe rrjedhat e ujit në kanal janë monitoruar përgjatë gjithë natës duke siguruar që kemi menagjim optimal të kapaciteteve energjetike”, ka thënë Rizvanolli.
Ministrja e Ekonomisë ka apeluar qytetarët dhe bizneset që të kursejnë sa më shumë energjinë elektrike.
“Sikurse që edhe gjatë muajve e viteve të kaluara, lusim qytetarët dhe bizneset që të jenë shumë të kujdesshëm në masën që është e mundshme me kursimin e energjisë elektrike”, u shpreh ajo.
Rizvanolli tha se çdo masë e vogël ndihmon jo vetëm në përballimin e sfidave aktuale por edhe në forcimin e qëndrueshmërisë së vendit për të ardhmen.
“Sulmet si kjo janë të jashtëzakonshme, mirëpo nga ana tjetër përderisa lufta në Ukrainë vazhdon, dhe situata e sigurisë gjeopolitike është kaq e ndjeshme, situata e furnizimit dhe çmimit të energjisë elektrike në treg do të jetë gjithnjë një problem potencial”, deklaroi ministrja./Indeksonline/