Roberts: Nuk ka ekzistuar Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale në të cilën u përfshinë katër të akuzuarit
Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts tha se nuk ka ekzistuar ndonjë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale në të cilën ka qenë i përfshirë Selimi dhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.
“Dua të them shumë qartë që në fillim se nuk ka ekzistuar ndonjë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale në të cilën ishte i përfshirë Selimi apo bashkë të akuzuarit e tij”, tha ai.
Ai shtoi se kjo nuk ka ndodhur në asnjë moment të periudhës së aktakuzës dhe se kjo gjë nuk ndryshon, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në asnjë moment të periudhës së aktakuzës. Kjo është kështu, ka qenë dhe mbetet”, tha ai.
Përveç kësaj, avokati theksoi se teoria e Prokurorisë është se Selimi dhe bashkë të akuzuarit e tij kishin për synim për të shtrirë ndikimin e tyre dhe jo çlirimi i popullit të tyre.
“Çështja e objektivit kriminal në qendër që është thelbi i provave të Prokurorisë, teoria e Prokurorisë duket se kjo ishte qëllimi kryesor i të akuzuarve përfshirë edhe Selimin dhe jo çlirimi i popullit të shtypur të tyre, por thjesht një synim për të kapur pushtet në mënyrë egoiste”, tha ai.
Përveç kësaj, Roberts shtoi se Prokuroria po pretendon se të akuzuarit kanë shmangur atë që Adem Jashari kishte bërë dhe se kanë arritur që të manipulojnë dhe mashtrojnë shumë vullnetarë që iu bashkuan UÇK-së.
“Në qoftë se do besohet kjo teori e cila është teoria kryesore- qendrore e provave apo pretendimeve të Prokurorisë, zoti Selimi dhe bashkë të akuzuarit e tij jo vetëm që kanë arritur që të shmangin atë që Adem Jashari e bëri por gjithashtu kanë arritur të manipulojnë dhe mashtrojnë mijëra vullnetarë të cilët kanë rrezikuar dhe në shumë raste kanë dhënë jetën e tyre duke luftuar për UÇK-në”, tha ai.
Po ashtu, Roberts tha se teoria e Prokurorisë është ofenduese dhe e pabazuar.

