Rohde: Duam anëtarësimin e Kosovës në BE, por pa qeveri mund t’iu ikë autobusi

Ambasadori në largim i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se Kosova duhet të formojë sa më parë Qeverinë e re pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Rohde theksoi se kjo do të ndihmonte në rrugën e vendit drejt integrimeve evropiane.
Ai përmendi se Kosova mund të humbasë mundësi të mëdha, siç është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, transmeton Klankosova.tv.
“Gjermania është partnere e fortë e Ballkanit Perëndimor. E kemi filluar Procesin e Berlinit, liberalizimin e vizave, e kemi mbështetur Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe ju dëshirojmë sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Por nëse nuk keni Qeveri, jeni në rrezik të humbni autobusin. Dje dhe sot, Shqipëria dhe Mali i Zi hapën kapituj të rinj për anëtarësim në BE. Ju jeni në garë për anëtarësim. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tri vende që janë ndalur për arsye të ndryshme.”
“Serbia, mendoj se ka aplikuar në vitin 2014. Deri para katër vjetësh nuk ka hapur asnjë kapitull. E dini se nëse nuk i kryeni detyrat e shtëpisë, mund të ketë pasoja. Dhe nëse nuk keni Qeveri, nuk mund të jeni partnerë të plotë – as në mënyrë bilaterale, e as për BE-në”, u shpreh Rohde.
Ai theksoi se, nëse Kuvendi i Kosovës nuk fillon punën aktive, vendi rrezikon të mbetet prapa edhe në përfitimin e fondeve nga BE-ja: “Thjesht, nëse paratë nuk vijnë, është sepse Parlamenti nuk punon. Ka rrezik që këto para të humbasin nëse një situatë e tillë vazhdon për një kohë të gjatë”.