75 Mall Live Search
11:23 / E Enjte, 22 Gusht 2024 / FR

Rohde vlerëson vendosmërinë e presidentes Osmani në mbrojtje të vlerave të BE-së

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka vlerësuar angazhimin e presidentes kosovare, Vjosa Osmani, ndaj vlerave të Bashkimit Evropian (BE).

Rohde këtë e ka bërë teksa ka uruar Osmanin për çmimin “M100 Media Award” nga Sanssouci Colloquium.

“Angazhimi juaj i vendosur ndaj vlerave tona të përbashkëta, lirisë dhe multilateralizmit e bëjnë Kosovën një zë kritik dhe shumë të nevojshëm në BE dhe më gjerë”, ka shkruar ambasadori gjerman të enjten gjatë ditës.

Presidenca e Kosovës  gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani është nderuar nga M100 Sanssouci Colloquium me çmimin “M100 Media Award” për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj në reforma, forcimin e demokracisë, kursin proevropian, luftën kundër korrupsionit, si dhe për barazinë dhe të drejtat e grave.

Në njoftimin e publikuar nga “M100”, thuhet se presidentja Osmani: “është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Ajo angazhohet për mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë si arritje thelbësore, përkundër të gjitha kërcënimeve dhe pengesave”.