23:52 / E Shtunë, 13 Korrik 2019 / indeksADMonline

Roma kërkon Suson, ofron një tjetër sulmues në shkëmbim

Roma ka nisur sondazhet për të parë mundësitë e transferimit të sulmuesit spanjoll Suso në kryeqytet, klauzola e të cilit për largimin nga Milani është 40 milionë euro dhe vlen vetëm për klubet jashtë Italisë.

Klubi verdhekuq ka kontaktuar me menaxherin e futbollistit për të marrë informacione konkrete dhe për të parë mundësinë e një skontoje rreth 10 milionë euroshe nga ana e Milanit, pasi nuk janë të gatshme të paguajnë klauzolën.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Milanit e kanë lënë vendimin në dorë të Giampaolos, i cili gjatë këtyre ditëve do të shohë mundësinë e përshtatjes së spanjollit në skemën e tij 4-3-1-2 dhe nëse përgjigjet do të jenë negative, atëherë do t’i hapet rruga largimit.

Mediat në Itali raportojnë se Roma është gati të paguajë deri në 30 milionë euro për kartonin e Susos, ose të ofrojë një shkëmbim kokë më kokë me sulmuesin çek Patrick Schick, i cili pikërisht nën drejtimin e Giampaolos, ka shkëlqyer kur ishin të dy te Sampdoria.