14:01 / E Hënë, 05 Tetor 2020 / indeksADMonline

“Romeo dhe Zhulieta e koronavirusit”, historia e çiftit italian, që u dashurua nga ballkonet e shtëpisë

Koronavirusi nuk arriti ta “vrasë” dashurinë. Kjo dëshmohet nga historia e një çifti në Itali, që u njoh në ballkonet e tyre gjatë bllokimit nga koronavirusi.

Ata janë fejuar, duke u bërë një “Romeo dhe Zhulietë” e ditëve moderne në Verona, i njëjti qytet ku ndodhi historia e famshme e Shekspirit.

Për Michele D’Alpaos, ishte dashuri me shikim të parë. Ai e kujton me detaje momentin kur pa 40-vjeçaren, Paola Agnelli, ndërsa ajo ecte në tarracën e banesës së saj, në Verona.

“Ishte pasditja e 17 marsit, kur u detyrova të punoja nga shtëpia për shkak të bllokimit,” i tha D’Alpaos, CNN. “Unë pashë këtë vajzë të bukur, Paolan. U trondita menjëherë nga bukuria e kësaj vajze, nga buzëqeshja e saj. Unë duhej ta njihja atë.”

Çifti kishte jetuar përballë njëri-tjetrit pothuajse tërë jetën e tyre, por nuk ishin parë asnjëherë. Por atë pasdite, ndërsa motra e saj luante në violinë në ballkonin siç bënte çdo mbrëmje, Agnelli kapi shikimin e D’Alpaos.

“Unë menjëherë mendova: çfarë djali i bukur”, tha Agnelli për CNN-in.

Ndërsa të dytë ishin të huaj deri në atë moment, fati gjeti një mënyrë për t’i bashkuar ata.

Agnelli rastësisht njohu motrën e D’Alpaos, sepse ato vizitonin të njëjtën palestër dhe ndiqnin njëra-tjetrën në Instagram. Mjaft afër për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit nga ballkonet e tyre, por shumë larg për t’u përqafuar, të dy kaluan ditët dhe netët e tyre, duke biseduar, duke qeshur dhe duke mësuar për njëri-tjetrin.

Ndërsa Italia mbeti nën bllokim për shkak të pandemisë, Agnelli dhe D’Alpaos nuk kishin zgjidhje tjetër përveç se të qëndronin larg. Por më 4 maj, gati dy muaj nga fillimi i historisë së tyre të dashurisë, Agnelli dhe D’Alpaos më në fund ishin në gjendje të takoheshin në një kopësht afër shtëpive të tyre.

“Ne as nuk folëm, u ulëm në një stol dhe u puthëm për gjysmë ore si dy adoleshentë”, tha D’Alpaos.

Aktualisht ata nuk kanë plane konkrete për një martesë, por ajo që dinë me siguri është dëshira e tyre e përbashkët për të krijuar një familje.