14:37 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Ronaldo: Ha, ha, ha … Barcelona nuk është për mua

“A keni menduar të pushoni në Barcelonë, pasi të lini futbollin? Ka një plazh…” Kjo ishte një nga pyetjet më provokuese të “El Pais”, në intervistën që i bëri Cristiano Ronaldos. Përgjigjia e yllit portugez, që tashmë luan me Juventusin, nisi me të qeshura: “Ha, ha, ha … Barcelona nuk është për mua, jo. Unë shkova atje një, ose dy herë dhe kuptova se nuk e pëlqejnë shumë Cristianon. Sidoqoftë, është normale për shkak të rivalitetit, asgjë nuk ndodh”.

Sa iu përket atyre që gjithmonë kërkojnë gjithnjë e më shumë prej tij, si prej Leo Messit, shpjegimi i portugezit është shumë i qartë: “Njerëzit gjithmonë janë të lirë të gjykojnë. Unë nuk jam lodhur kurrë së provuari çdo vit se sa i mirë jam. Të tjerët ndoshta më shohin si një person, që nuk mund të ketë probleme, të mos ketë shqetësime, të mos jetë edhe i trishtuar. Nuk mund t’i identifikoni problemet e një personi duke u nisur nga paratë që ka.

Njerëzit gjykojnë kështu: Si mund të jetë i trishtuar Cristiano, kur ka miliona para? Duhet t’i mirëkuptoni edhe ata që nuk mendojnë si ju, sepse nuk kanë përjetuar situata të caktuara, kanë një kulturë të caktuar. Unë e di se njerëzit janë si një “armë gjahu”, duke pritur që Cristiano të gabojë te një penallti, ose të dështojë në një ndeshje vendimtare. Megjithatë, kjo është pjesë e jetës dhe duhet të jem i përgatitur. Në fakt, kam qenë i përgatitur për kësi gjërash prej shumë vitesh”.