14:28 / E Diele, 19 Dhjetor 2021 / LB

Ronaldo merr pronësinë e klubit të dytë, blen Cruzeiron

Ronaldo Nazario është pronari i ri i Cruzeiro-s, skuadrës ku ai mori famë dhe e lejoi atë të transferohej në Evropë.

Fitusi i dyfishtë i Kupës së Botës konfirmoi marrëveshjen së bashku me presidentin e skuadrës braziliane, Sergio Santos Rodrigues.

Marrëveshja u nënshkrua të shtunën në Sao Paulo, me më shumë detaje që do të konfirmohen në ditët në vijim.

Ronaldo është po ashtu pronari i skuadrës spanjolle Real Valladolid, raporton Marca.

Tani 45 vjeç, Ronaldo e filloi karrierën e tij të lojës me Cruzeiron para se të bënte lëvizjen në Evropë më 1994 për t’u bashkuar me skuadrën holandeze PSV Eindhoven.

Synimi i Ronaldos është të kthejë Cruzeiron në ligën më të lartë të futbollit brazilian, pasi ka rënë nga kategoria në vitin 2019.

“Unë them se kam shumë për të kontribuar, kemi shumë punë përpara dhe ambicie për të bërë diçka të madhe nga Cruzeiro”, tha ish-sulmuesi, duke folur drejtpërdrejt në Instagram për marrëveshjen.