75 Mall Live Search
14:58 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / C E

Ronaldo thyen “rekord” edhe në koronavirus, 18 tamponë pozitive

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ishte mjaft i zemëruar kur e kuptoi se mbeti jashtë ekipit të Juventusit për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, luajtur mbrëmë në Torino, dy javë pasi doli pozitiv me koronavirus.

35-vjeçari, shënuesi më i mirë në historinë e kompeticionit me 130 gola, duhej të rezultonte negativ 24 orë para ndeshjes në fjalë, por mori përgjigje të kundërt nga tamponi i radhës.

Ronaldo, tejet i zemëruar postoi një foto në Instagram, me komentin: “Ndihem mirë dhe shëndetshëm! Forza Juve! #noallane”.

Ai shtoi një koment mbi testin e fundit (tamponin): “PCR është budallallëk”. Portugezi, që ka më shumë se 241 milionë ndjekës në Instagram, e hoqi komentin pas një ore e gjysmë.

Kujtojmë se Ronaldo u testua për herë të parë pozitiv me Covid-19 më 13 tetor, ndërsa luante me Portugalinë, dhe ka qenë në vetizolim që nga kthimi në Itali.

Sipas televizionit portugez TV1, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka rezultuar pozitiv 18 herë, jo sa është thënë nga klubi bardhezi deri tani, në tre tampon të kryer. Pra, i bie që CR7 ta ketë bërë tamponin plot 18 herë në këto dy javë karantinimi.

Ndeshja kundër Barcelonës, e cila u humb 2-0 nga bardhezinjtë, ishte e katërta e humbur nga Ronaldo, i cili nuk ka simptoma të virusit, ndaj ka postuar foto të tij duke u stërvitur në kushtet e shtëpisë, përmes rrjeteve sociale.

Legjendat e futbollit, Ronaldo dhe Messi, tani do të takohen në ndeshjen e kthimit të Grupit G të Champions-it, planikuar të luhet në “Camp Nou” më 8 dhjetor. Ata nuk janë përballur që kur portugezi u largua nga Real Madridi për te Juventusi, verën e vitit 2018.