75 Mall Live Search
12:54 / E Hënë, 18 Gusht 2025 / Pranvera Musa

Rooney kritikon ashpër Isak-un: Po e ndjek rrugën e gabuar

Ish-sulmuesi anglez, Wayne Rooney tashmë e ka bërë debutimin e tij si komentator televiziv në Angli dhe nuk nguroi të lëshonte fjalë të forta ndaj sulmuesit suedez, Alexander Isak.

Sulmuesi suedez ndodhet aktualisht në grevë, duke refuzuar të luajë për Newcastlen me qëllim që të detyrojë transferimin e tij te Liverpooli.

“Refuzimi për t’u stërvitur do ta bëjë shumë të vështirë rikthimin e tij në fushë. Ka një problem me vetëbesimin. Ai po shkon në rrugën e gabuar. Ndoshta nuk është i këshilluar mirë”,  tha ish-kapiteni i Manchester Unitedit.

“Ekipi që përpiqen të nënshkruajnë më të, në këtë rast Liverpooli, duhet të pyesë veten nëse ky është lloji i lojtarit që ata duan… dikush që braktis shokët e tij të ekipit dhe një klub të madh. Është një mundësi e mirë, por duhet të trajtohet siç duhet”, ka pohuar Ronney.

Duke folur nga përvoja personale, Rooney kujtoi momentin kur në vitin 2010 kërkoi të largohej nga Manchester Unitedi me Chelsea-n të interesuar.

“Ekziston një mënyrë e drejtë dhe një mënyrë e gabuar për ta bërë këtë. Kur kërkova të largohesha, nuk refuzova kurrë të stërvitesha ose të luaja”, përfundoi ai.