Rozeta Hajdari thotë se nuk është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit në Prokurori Speciale

Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se gjatë intervistimit të saj të djeshëm në Prokurori Speciale nuk është mbrojtur në heshtje.
Hajdari thotë se kjo vërtetohet edhe nga procesverbali i datës 31 korrik.
“Po, unë i kam kuptuar të drejtat e mia dhe dëshiroj të përgjigjem në pyetjet e prokurorëve në kushtet ligjore sipas ligjeve në fuqi lidhur me rezervat shtetërore të mallrave.”, citohet të ketë thënë Hajdari para Prokurorëve.
Postimi i plotë:
Sqarim publik:
Procesverbali zyrtar i Prokurorisë Speciale e rrëzon në themel pretendimin se jam mbrojtur në heshtje.
Në dokumentin zyrtar të datës 31.07.2025, të mbajtur nga vetë organet e ndjekjes, thuhet qartë nga unë:
“Po, unë i kam kuptuar të drejtat e mia dhe dëshiroj të përgjigjem në pyetjet e prokurorëve në kushtet ligjore sipas ligjeve në fuqi lidhur me rezervat shtetërore të mallrave.”
Kjo dëshmi shkresore është fakt i pakundërshtueshëm se nuk kam kërkuar të mbrohem në heshtje, por kam insistuar në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të procedurës për një çështje të klasifikuar si sekret shtetëror – një kërkesë legjitime për çdo zyrtar publik.
Çdo insinuatë ndryshe është manipulim i qëllimshëm i opinionit publik.
Drejtësia nuk ndërtohet mbi shkelje të ligjit, konflikte interesi apo ndërhyrje të paligjshme në dokumente të klasifikuara. Bashkëpunimi me organet e drejtësisë ka qenë dhe mbetet i plotë – por gjithmonë në mënyrë të ligjshme dhe pa kompromis ndaj shtetit të së drejtës.
Institucionet duhet të jenë gardianë të ligjit – jo burim i selektivitetit dhe i padrejtësisë.
Kërkoj nga organet kompetente që të veprojnë pa vonesë ndaj shkeljeve evidente, dhe të mbrojnë integritetin institucional të Republikës së Kosovës.
Faleminderit të gjithë qytetarëve për përkrahjen dhe besimin tuaj të palëkundur!/Indeksonline/