Rrahja e 2 punëtorëve të KEDS-it me një qytetar, kërkohet fajtori

Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, ka bërë të ditur se dje janë arrestuar dy të dyshuar, punëtorë të KEDS-it, të cilët kishin sulmuar një person. Derisa viktima ka marrë edhe trajtim mjekësor.
“Rr. Dëshmorët e Kombit, Deçan 31.08.2020,11:58. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë punëtorë të KEDS-it të cilët pas një mosmarrëveshjeje rreth parkimit të veturës së tyre të cilën e kishin parkuar në vendpunishte e kishin sulmuar viktimën mashkull kosovar, i cili në atë vende kishte qenë duke punuar në rrugë. Viktima si pasojë e sulmit ka marrë trajtim mjekësor, kurse të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia.
Por, Federata Sindikale e Pavarur – Elektrokosova, përmes një postimi në FB thotë se punëtorët e tyre janë rrahur. Madje, kërkojnë që organet e rendit të merrën me rastin dhe sulmuesit të vihen para drejtësisë.
“Dënjomë sulmin fizik ndaj dy punëtorëve tanë në vendin e tyre të punës në distriktin e Pejës.
Ne si sindikatë ftojmë organet e rendit të merrën me rastin si edhe sulmuesit të vihen para drejtësisë, sulmi në vendet e tyre të punës është akt i lig dhe qyqar. Njëkohësisht kërkojmë nga menagjmenti i KEDS-KESCO-s, që punëtorëve tanë t’u ofrohet siguri më e madhe si edhe të merrën parasysh vështirësitë e tyre në vendet e punës”./Indeksonline