21:07 / E Premte, 27 Janar 2023 / MSH

Rrahja e të moshuarës në “Orenda” në Pejë, Prokuroria thotë se janë në fazën përfundimtare të veprimeve hetimore

Prokuroria Themelore në Pejë është në fazën përfundimtare të veprimeve hetimore lidhur me rastin e sulmit fizik të gruas së moshuar nga një infermiere në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili tha se të pandehurat janë proceduar në prokurori dhe janë marrë në pyetje nga prokurori i shtetit.

Ai tha se prokuroria është në fazën përfundimtare të veprimeve hetimore në këtë çështje penale.

“Të pandehurat janë proceduar në prokurori. Janë marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit. Jemi në fazën përfundimtare të veprimeve hetimore në këtë çështje penale”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.

Edhe avokati i familjes së të moshuarës, e cila ishte sulmuar fizikisht nga infermieret në Pejë, Meshar Selimaj tha se rasti është në fazën e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Avokati Selimaj po ashtu theksoi se ndaj të pandehurës Aurona Pelaj nuk ka ndonjë masë sigurie të lëshuar nga gjykata, andaj, siç theksoi ai, sipas informacioneve të pakonfirmuara e pandehura gjendet në Gjermani.

Ndryshe, sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 2 nëntor.

Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë fillimisht u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Të pandehurat A.P, A.R dhe R.K, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.

Gjykata Supreme, më 25 nëntor i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Pejë.

Lidhur me këtë rast, ka pasur reagime të shumta, si dhe protesta, derisa shtëpisë së të moshuarve “Orenda”, ku ka ndodhur sulmi i është hequr licenca.