22:12 / E Mërkurë, 19 Korrik 2023 / AR

Rrahja në Kuvend, Abdixhiku: Pamjet ishin të trishta

“Pamjet në Kuvend ishin të trishta” – ishte komenti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, për dhunën e ushtruar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Dhuna në Kuvend nuk ka qenë e re. LDK më së miri e di se si është kur dikush e përdorë dhunën si mjet. Dhuna nuk është mjet politik për LDK-në. Ishte një ndjenjë e keqe sinqerisht. Atë ditë e vazhdova takimin me profesorët universitar si përgjigje ndaj asaj që po ndodhte”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas kryetarit të LDK-së, Kuvendi është bërë arenë e polarizimit, i sponsorizuar nga kryeministri Kurti. Përderisa ministrat sipas Abdixhikut, vijnë në Kuvend për Tiktok dhe jo për punë.

“Nga Kuvendi po atakohen të gjithë, përfshirë deputetët, mediat, ambasadorët. Ministrat po vijnë në Kuvend për Tiktok. Për shou. Ministrat nuk po vijnë për të folur për punë. Për mungesën e barnave, për shembull. Ose për lehtësime biznesore, ta zëmë. Ata po vijnë për propagandë”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së po i bën këto komente në Rubikon me Adriatik Kelmendin.