Rrahja në sy të policëve në veri, suspendohet komandanti dhe pesë policë

Komandanti dhe pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri janë suspenduar nga puna me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë, pasi nuk morën masat e duhura gjatë një rrahjeje, që ndodhi dje në mesditë në rrugën “Kral Petri”, në Mitrovicë.
Për këtë rrahje mbrëmë raportoi ekskluzivisht IndeksOnline, duke ofruar edhe pamje të rrahjes ku shihet neglizhenca dhe mosintervenimi i policisë.
Rrahja e djeshme, është e katërta në këtë muaj, ku grupet kriminale në veri po qartësojnë hesapet në prani të pjesëtarëve të policisë. Në videon e publikuar mbrëmë vërehet qartë mosreagimi i shefit të ndërrimit Milija Milosheviq.
Burimet e IndeksOnline kanë thënë se këto sjellje të policëve s’do të tolerohen dhe ndaj çdo pjesëtari që nuk kryen detyrat e duhura do të merren masa.
Të suspenduar nga puna janë: Milan Mihajloviq, Nebojsa Spasojeviq, Dragan Jovanoviq, Sërgjan Spasojeviq dhe Zlatibor Ristiq.
Ndërkaq, sot në mëngjes policia ka dhënë informacione për rrahjen e djeshme, për të cilën IndeksOnline ka edhe videoincizimin.
“Pas një mosmarrëveshje, të martën në orën 12 e 49 minuta në rrugën “Kral Petri” në Mitrovicë, ka ndodhur rrahja midis pesë të dyshuarve meshkuj kosovarë. Të të lënduarve në këtë rast u është ofruar trajtimi mjekësor. Me vendim të prokurorit, rasti është në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/