Rrahja te “kafet e vogla”/ IndeksOnline siguron fotot e policëve të sulmuar dhe deklaratat e dëshmitarëve

Mbrëmjen e 25 janarit, pas orës 21:00, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë, kishin pranuar një informacion se në njërin prej lokaleve që ndodhet te “kafet e vogla” në Prishtinë, nuk po respektohen masat antiCovid-19.
Pasi kanë dalë në vendin e ngjarjes, zyrtarët policor dhe inspektorët sanitar, janë penguar në detyrë. Madje dy nga klientët që ndodheshin në lokal, dyshohet se kanë përdorur edhe dhunë fizike ndaj policisë.
IndeksOnline ka siguruar deklaratat e dy policëve që kanë pësuar lëndime trupore në këtë rast, fotot e tyre të përgjakur dhe deklaratat e tri dëshmitareve, inspektore sanitare që kishin parë ngjarjen me sy.
Derisa rasti ndodhet ende nën hetime, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policor të përfshirë në këtë ngjarje me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.
Dëshmitaret i kanë deklaruar policisë se dy persona që ndodheshin në lokal, “emrat e njohur për redaksinë”, kanë sulmuar policinë me grushte dhe shkelma.

“Unë R.D, inspektore sanitare, deklaroi se më datën 25 janar 2021, në orën 21:10 kam qenë në punë duke inspektuar lokalet për masat antiCovid dhe kemi qenë së bashku me zyrtarët policorë në rrugën “Fehmi Agani” dhe “Enver Zymberi” në Prishtinë. Gjatë kohës kur kemi qenë në lokalin “XX”, (i njohur për redaksinë), kemi vërejtur se nuk ishin duke u respektuar masat antiCovid dhe në këtë mënyrë ne kemi reaguar duke kontaktuar me pronarin e lokalit. Ai na është drejtuar neve dhe Policisë duke thënë se shyqyr që erdhët sepse nuk ishin duke u ngritur nga tavolinat. Vlen të ceket se dy klientë i kanë sulmuar policinë me grushte dhe shkelma. Njëri prej tyre e ka pasur një jakne të zezë dhe mjekër, tjetri ka qenë më i dobët nga ndërtimi trupor”, thuhet në një pjesë të deklaratës së inspektores R.D.
Njëjtë është deklaruar edhe inspektorja F.B. “Në biseduam me njërin nga pronarët për ta pyetur se a e kanë përfunduar punën dhe një nga klientët ulur i është drejtuar zyrtarit policor “Nuk ka bir nane që mundet mem qit mu”. Polici e mori (jo në mënyrë të dhunshme) për me largu nga lokali, në atë moment pas tyre kanë dal edhe klientë të tjerë dhe po ashtu pas tyre disa klientë që kishin qenë brenda u drejtun tek ne duke na pyetur “pse e kanë marrë, cila është arsyeja, me cilin ligj dhe duke bërtitur me një zë të lartë…nuk e dinë sepse janë vetëm praktikante”. Më pas ne kemi vazhduar tek zyrtari policor sepse u ndiem të rrezikuara. Gjendja ka filluar të dalë jashtë kontrollit duke i sulmuar policinë. Ne kemi filluar të largohemi nga grumbullimi i madh i njerëzve. Pas eskalimit të situatës, ne u ndiem tejet të rrezikuar dhe më tutje nuk e di se çfarë ka ndodhur sepse më ka kapluar stresi”, është një pjesë e deklaratës së inspektores F.B.

Edhe A.Th, një inspektore tjetër që kishte parë ngjarjen me sy ka dhënë deklaratë në polici:
“Gjatë inspektimit në lokal ka pasur shumë persona brenda, ku njëri nga klientët i është drejtuar zyrtarit policor me fjalë fyese “nuk ka bir nane që më qet jashtë nga lokali mua”. Zyrtari policor në atë moment e ka shoqëruar personin e lartëcekur jashtë lokalit në mënyrë jo të dhunshme ndërsa klientët e terë kanë filluar të dalin jashtë dhe pronarët dhe ne gjithashtu jemi larguar jashtë lokali”, ka thënë ajo.
“Disa nga klientët kanë filluar të na pyesin “pse po e marrin policia, po tregona ligjin neve po nuk e dini sepse jeni praktikante”. Po ashtu e kanë ofenduar edhe Policinë e Kosovës dhe gjendja më pas është keqësuar pasi personat kanë filluar t’iu kundërvihen policisë duke mos i zbatuar urdhrat që ata ju kanë dhënë dhe terë kohën kanë refuzuar zbatimin e urdhërave policor. Më pastaj pasi është keqësuar situata ne jemi larguar nga vendi i ngjarjes sepse jemi ndjerë të rrezikuara për arsye se turma e njerëzve ka qenë tejet e madhe dhe me pas kanë filluar që t’i sulmojnë zyrtarët policor”, është shprehur inspektorja.
Policia në fund kishte arritur t’i arrestojë të dyshuarit dhe të njëjtit i ka dërguar në stacion policor për intervistim. Të dyshuarve, iu është bërë testi i alkoolit, ku tek njëri rezulton 1.73 promil ndërsa tek i dyshuari tjetër 1.95 promil alkool në gjak.

Me urdhër të prokurorit të rastit, dy të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor.
Stacioni Policor “Qendra” ka thirrur mjekët për t’iu dhënë ndihma mjekësore zyrtarëve policor në stacion pasi ndaj tyre janë vërejtur shenja dhune.

Në raportet mjekësore të siguruara nga IndeksOnline, mjekët kanë shënuar se në fytyrat e policëve dhe në pjesët tjera të trupit, janë të dukshme shenjat e dhunës. Po ashtu atyre iu është shënuar edhe terapia mjekësore./IndeksOnline/