Rrahja te Kafet e Vogla/ Të dyshuarit ikën me veturë, policia në ndjekje të tyre

Një përleshje fizike ka ndodhur gjatë mbrëmjes së sotme në një nga pjesët më të frektuentuara të kryeqytetit.
Dy grupe të njohura edhe nga Policia e Kosovës janë rrahur mes vete, tek vendi i njohur si Kafet e Vogla në Prishtinë.
Indeksonline mëson se rrahja brutale ka ndodhur jashtë para lokaleve, derisa një person është në gjendje të rëndë, pas lëndimeve që ka marrë. I njëjti është goditur me kodak të revoles.
Rastin për Indeksonline e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ndërsa ka dhënë detaje.
“Me datë 20.07.2020 rreth orës 20:40 kemi pranuar informatën se në Rr. “ Fehmi Agani” në Prishtinë është duke ndodhur një rrahje në progres.
Policia ka dal në vendin e ngjarjes, ku ka evidentuar disa dëshmi lidhur me rastin.
Bazuar në informacionet fillestare të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet, targat e te cilit janë të ditura për Policinë dhe njësitet kompetente policore janë duke kryer hetime intensive për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar të involvuar në këtë incident”, ka thënë Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës./Indeksonline

